Liberalizimi i vizave

Pa matje, pa të dhëna, pa kurrgjë, Kurti: Sot më shumë qytetarë kthehen në Kosovë se sa që largohen

Në superlativin më të madh për veten dhe qeverisjen e vet iu drejtua Lëvizjes Vetëvendosje kryetari i saj, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ku rikapitulloi tërë atë të cilës ia kemi mësuar përmendësh edhe sintaksën përveç përmbajtjes.

“Tash e tri vjet qytetari ndjen që qeveria nuk e vjedh atë”, tha Kurti, teksa vazhdoi të thotë se “sot kemi më shumë qytetarë që kthehen (në Kosovë) se sa që shkojnë”; por duke mos cituar asnjë matje, shifër, apo të dhënë për të mbështetur një pohim të tillë kaq grandioz.

Por aty ku pati çka të citojë, Kurti citoi: ndonëse selektivisht, pjesshëm, dhe përdredhshëm pjesët e parapëlqyera; ndërsa raportet që pikturojnë tablo negative për qeverisjen e vet, gjendjen e sigurisë në vend, dhe atribuimet që i bëhen atij në ato raporte: jo.

“Në 3 vite qeverisje jemi ngritur për 22 vende në lirinë e medias, 21 vende në luftën kundër korrupsionit, 16 vende në demokracinë liberale dhe 13 vende në demokracinë elektorale. Në liritë globale, të drejtat politike e liritë civile jemi ngritur për gjashtë vende. Jemi të parët në rajon në Indeksin e Sundimit të Ligjit. Këto arritje janë meritë e përbashkët”, tha Kurti.

Ndonëse Kosova nuk ka arritur të dal nga trendi thuajse uniform i rritjes ekonomike qe dhjetëra vite, për Kurtin s’është kështu., por e kundërta.

“Është rritur buxheti për komunat, është rritur buxheti për shëndetësinë. Pesë klinika janë në rinovim. Kemi shtuar shërbime e riparime të neglizhuara me dekada. Po rregullojmë infrastrukturën për shëndetësi. Mbi 200 milionë janë ndarë më shumë për fermerët, dhe janë rritur subvencionet. Në energji po kryejmë investime që për dekada kanë sjellur ndotje të ajrit”.