OVL-UÇK në Shtime: Nuk duhet të lejohet ndryshimi i historisë së UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) në Shtime ka kërkuar që të ruhet historia e UÇK-së në përkujtimin e të bëmave të Ushtrisë Çlirimtare në Zonën Operative të Nerodimes kur ndodhi Masakra e Reçakut, më 15 janar 1999.

“Në përpjekje për ta mbrojtur popullatën e rrezikuar, në mënyrë fatale nga barbarët serbë kanë rënë dëshmorë, janë plagosur ushtarë  të UÇK-së në këto beteja nga 15 janari deri më 20 janar 1999.  Më 19 janar, saktësisht në mbrojtje të kufomave të të masakruarve në Reçak, ka rënë dëshmor edhe Komandanti i Brigadës 161, Ahmet Kaçiku.  Po në këto luftime edhe zyrtarisht serrbia ka pranuar humbjet e veta në polic e oficer të tyre”, thuhet ndër të tjera në reagimin e OVL-UÇK-së në ‘Facebook’.

Ata kanë përkujtuar edhe angazhimin e ish-ambasadorit William Walker që t’i tregojë botës për Masakrën e Reçakut.

“Wiliam Walker i tha të vërtetën botës duke e dëshmuar me autoritetin, filmimet, fotografit dhe të gjitha provat mjeksore të marrura në vendin e ngjarjes me ndihmën e ekipit mjekësorë të ZON-ës, me të ndjerin Dr.Vezir Bajrami, ku i’u bë përshkrimi i të gjitha viktimave dhe dëmtimeve. Kjo ngjarje me përmasa të mëdha tash më të njohura botërisht e pengoi Serbin dhe Beogradin”, thuhet ndër të tjera në reagimin e OVL-UÇK-së së Shtimes.