OVL-UÇK: Gjykata Speciale ka dëshmuar se është politike

Në Organizatën e Veteranëve të Luftës vlerësojnë se me vendimet e deritashme Gjykata Speciale ka dëshmuar se është politike.

Ka kaluar pothuajse një vit nga arrestimet e para të Gjykatës Speciale. Që atëherë avokatët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë drejtuar dhjetëra ankesa në instancat e Dhomave të Specializuara, duke nisur nga lirimi me kusht e deri tek problemet me nxjerrjen e materialeve nga Prokuroria. Pothuajse të gjitha këto ankesa të avokatëve janë hedhur poshtë qoftë nga Gjykata e shkallës së parë apo ajo e Apelit në Hagë.

Lidhur me këtë çështje sekretari i OVL – UÇK’së thotë se qasja e gjykatësve dhe prokurorëve në vazhdimësi ka qenë mohimi i së drejtës për t’i gjykuar në liri ish-krerët e UÇK’së.

“Qëllimi kryesor i tyre është që të mos i lëshojnë të mbrohen në liri dhe është një padrejtësi e madhe për shkak se mbahen njerëzit ndoshta edhe me vjet atje në burg dhe nuk mund të mbrohen në liri dhe stërzgjaten seancat ndaj tyre. Gjyqi nuk fillon me vite dhe është një shkelje e të drejtave të njeriut që iu bëhet të akuzuarve”, tha Klinaku për RTK’në.

Në shtator bëhen një vit që kur kanë filluar arrestimet e para nga Gjykata Speciale.