Osmanit e Kurtit u rritet paga me projektligjin e ri, ky është koeficienti për ministra dhe deputetë

Ligji për Pagat për Sektorin Publik si dhe ai për Zyrtarët Publik është miratuar sot në mbledhjen e 109 të Qeverisë së Kosovës.

Në këtë projektligj të ri të cilin e ka siguruar Demokracia.com, shihen ndryshime të mëdha në koeficientin e pagave për krerët e shtetit, të cilëve u rritet paga bazë.

Qeveria Kurti është përkujdesur që t’i rrisë pagat bazë për vete dhe udhëheqësit e tjerë shtetërorë.

Sipas dokumentit të siguruar nga Demokracia.com, koeficientin më të lartë do ta ketë presidenti i vendit, i cili do të jetë 18, i pasuar më pas nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, me 17.5.

Me koeficient 17 është paraparë të jetë paga bazë e Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas projektligjit të ri për paga, tani e tutje edhe zëvendëskryeministrat, ministrat dhe deputetët do të kenë pagë bazë më të lartë.

Deputetët dhe ministrat koeficientin do ta kenë 16.4, raporton Demokracia.com.

Ndryshime janë bërë edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Sipas projektligjit të ri, pas hyrjes në fuqi të tij edhe komandanti i FSK-së do të ketë rritje të pagës dhe koeficienti i tij do të jetë 15.

Ndërkaq, Drejtori i Policisë me këtë projektligj do ta ketë koeficientin e pagës 14.5, njësoj sikurse edhe Drejtori i Doganës.

Qeveria Kurti është përkujdesur edhe për zyrtarët dhe nëpunësit e kabineteve politike.

Me projektligjin e ri, tashmë shefi dhe zëvendësshefi i stafit të presidentit, koeficientin do ta ketë 13, kurse shefi i stafit të kryeministrit dhe Kuvendit të Kosovës, koeficientin do ta kenë 12.4.