Vjosa Osmani

​Osmani: Zëri i njerëzve më pro NATO-s në botë do të dëgjohet

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pasi Komisioni i Përhershëm drejtues i Asamblesë Parlamentare të NATO-s ka marrë sot vendim për të përmirësuar statusin e Kosovës në këtë organizatë.

Ajo në një postim në rrjetin social X, ka thënë se kjo do të mundësojë që zëri i popullit të Kosovës të dëgjohet.

“Komisioni i Përhershëm i NATO-s ka marrë një vendim thelbësor për të përmirësuar statusin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare si anëtar i asociuar. Kjo do të mundësojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në botë të dëgjohet, ndërsa ne vazhdojmë të bëjmë hapa drejt anëtarësimit të plotë”, ka shkruar Osmani.

Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s sot në Estoni mori vendim që Kosovës t’i ngrihet statusi në nivelin e anëtarit të asociuar.

Për shumë vite Kosova kishte statusin e anëtarit vëzhgues. Ky vendim do të formalizohet me votim në Asamblenë parlamentare të NATO-s në sesionin pranveror të Asamblesë, që do të mbahet më 27 maj në Sofje.

Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit në Asamblenë e NATO-s, Kosova do të ketë përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe do të ketë të drejtë në adresimin e amendamenteve dhe komenteve për secilin proces e dokument i cili trajtohet nga Asambleja, të cilat më herët është dashur të bëhen përmes delegacioneve të vendeve tjera, kryesisht Shqipërisë.