Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Naser Osmani, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar ndaj disa lajmeve të publikuara që kanë përmendur emrin e tij si personi që ka ndikuar në vendimin e kryesisë për garën zgjedhore në degën e III-të të LDK-së.

“Këto lajme janë plotësisht shpifje, të pavërteta dhe me tendencë të futjes së përçarjes në LDK, në kontekst të zhvillimeve që lidhen me procesin e brendshëm zgjedhor. Unë mbështes vendimet e Kryesisë Qendrore dhe një proces të rregullt zgjedhor, mbështetur në Statutin dhe Rregulloren e LDK-së për zgjedhjet”, ka shkruar Osmani, përcjell Ballkani.info.

Tutje, ai ka thënë se pavarësisht këtyre ‘sulmeve’ tendencioze dhe vështirësive sporadike që po paraqiten nëpër disa degë, LDK-ja nga ky proces zgjedhor do të dalë më e fortë dhe më e sigurtë në misionin e saj.

Kujtojmë se reagimi i deputetit Osmani vjen pas shkarkimit të Arban Abrashit dhe Hazir Borovcit nga gara për Degën e III-të në Prishtinë, nga ana e Kryesisë së LDK-së në mbledhjen që u mbajt dje. /Ballkani.info