Osmani tregon cili takim bëri kthesën e madhe për arritjen e koalicionit VV-LDK

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se tre ditë para zyrtarizimit të marrëveshjes për koalicionin VV-LDK, ishte takimi që bëri kthesën e madhe për arritjen e marrëveshjes.

Ajo ka bërë të ditur se të enjten e 30 janarit, partitë arritën të kalonin çdo pengesë për të arritur marrëveshjen.

“Kishim një takim të përbashkët, unë dhe nënkryetari Lutfi Haziri nga ana e LDK-së, nga VV-ja Kurti e Besnik Bislimi. Në takim disa orësh u tejkalua çdo pengesë. Takimi ndodhi të enjten sepse të dielën u nënshkrua marrëveshja. U bë kthesa e madhe në raport me marrëveshjen. Aty kemi biseduar në mënyrën më të sinqertë të mundshme se çka ndodh nëse s’bëhet kjo marrëveshje e si do të dalim para qytetarëve nëse s’bëhet. E mirëkuptonim mirë njëri tjetrin se partitë tona do të dëmtoheshin ndoshta nëse lëshojmë pak pe, por kurrë s’do të kishim respektin e popullit. Dëmi do të ishte më i madh”, ka thënë ajo.