Osmani: Thellësisht e prekur nga ngjarja tragjike në Gjilan

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka reaguar pas vrasjes së shumëfishtë që ndodhi sot në Gjilan.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Osmani ka thënë se është thellësisht e prekur nga kjo ngjarje tragjike, derisa ka thënë se organet kompetente duhet të marrin masa urgjente për të shmangur rastet si ky.

“Thellësisht e prekur nga ngjarja tragjike në Gjilan. Mendimet dhe lutjet e të gjithë neve që u trishtuan nga kjo tragjedi do të jenë me viktimat dhe familjen e tyre në këtë orë të ligë. Organet kompetente duhet të marrin masa urgjente për të shmangur rastet si ky”, ka shkruar Osmani.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Gjilanit përmes një komunikate drejtuar mediave.

 “Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.