Osmani tha se Demarkacioni është “çështje e kryer”, Kurti: Duhet ta bëjmë rishikimin

Kryeministri Albin Kurti është pyetur në Kuvendin e Kosovës se pse Qeveria s’i reagoi presidentes Vjosa Osmani, e cila së fundmi tha se “sa i përket kufijve (me Malin e Zi) për mua ajo çështje ka përfunduar në parlament para disa vitesh”.

Kurti tha se LVV-ja atëherë kishte kërkuar që “së pari rishikim, pastaj ratifikim”. Ai tha se “Qeveria asokohe nuk veproi si duhet”, raporton Gazeta Express.

“Kosova dhe Mali i Zi kanë një marrëveshje në nivel të presidentëve që të bëhet rishikimi në kohën më të përshtatshme për të dyja palët”, tha ai, duke kujtuar marrëveshjen mes Hashim Thaçit dhe Milo Gjukanoviqit.

“Ne së bashku me Malin e Zi, kur të pajtohemi që të vëmë shenjimin në terren, duhet ta bëjmë rishikimin sipas marrëveshjes dhe propozimin për ndryshimet e mundshme logjike dhe të pranueshme për të dyja palët”, tha Kurti.

Ai tha se në Kosovë “ekspertët edhe më tej kanë punuar në këtë drejtim”.

“Jemi të gatshëm që të koordinohemi me palën malazeze për veprimet e përbashkëta të mëtejme”, tha ndër tjerash kryeministri.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili e pyeti për këtë çështje, tha se “kjo nuk është përgjigje”.

“Ju për këtë z. kryeministër e keni krijuar një situatë shumë të rëndë në Kosovë”, tha Selmanaj.