Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, sot gjatë ditës është takuar me diplomatin gjerman, Christian Hellbach, me të cilin kanë diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike në vend.
Osmani ka thëën se në këtë takim ia ka bërë të qartë zyrtarit gjerman, se Lidhja Demokratike e Kosovës është kundër idesë për korrigjim të kufijve, që sipas saj është një ide ruso-serbe për copëtimin e Kosovës.

Christian Hellbach është drejtor për Evropën Juglindore në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

“Sot në selinë e LDK-së, pritëm drejtorin për Evropë Juglindore në MPJ-në gjermane, Ambasadorin Christian Hellbach. Diskutuam gjatë për të gjitha zhvillimet politike në Kosovë, me theks dialogun Kosovë -Serbi dhe rikonfirmuam qëndrimin e LDK-së kundër planeve ruso-serbe për copëtimin e Kosovës”, ka shkruar në profilin e saj zyrtar deputetja Vjosa Osmani.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka qenë një nga zërat më të fuqishëm perëndimor kundër idesë së korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Edhe faktori politik në vend sa i përket kësaj ideje, ka qenë konsisent në qëndrimin kundër. Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj madje disa herë është përplasur me presidentin Thaçi, duke thënë se një ide e tillë është një thirrje për luftë.

Se korrigjimi i kufijve është një ide që e destabilizon rajonin e Ballkanit, e kanë thënë edhe shumë ish-diplomatë të huaj të cilët kanë punuar në shtetet e Ballkanit dhe që kanë pasur një njohuri për rajonin.

Sipas tyre ideja për prekje të kufijve mund të ketë një efekt zingjirë, duke nxitur lëvizje për ridefinim të kufijve edhe në vendet tjera.

Edhe historiani e profesori i shkencave politike, Florian Bieber, i cili është marrë më shumë se 25 vjet me problemet e Ballkanit, në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se një ide e tillë për ndarje të Kosovës e ka fillin shumë më herët në Serbi, dhe sipas tij është një ide e rrezikshme