Pas takimit me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë.

“Siç e dini programi i përbashkët i koalicionit qeverisë është prezantuar nga ana e kryeministrit të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës me datën 3 shkurt dhe aty është bërë e qartë që ashtu siç kemi thënë para qytetarëve, ne besojmë që tarifa duhet të zëvendësohet me masë të reciprocitetit në raport me Serbinë”, u shpreh Osmani, raporton KP.

Osmani deklaroi se, për ta hequr atë tarifë, Serbia duhet të ndërpresë fushatën që po e bën kundër njohjeve të Kosovës.

“Për t’u larguar tarifa ashtu siç e ka thënë edhe ambasadori i SHBA-së në Berlin, i cili në të njëjtën kohë është edhe përfaqësues i presidentit Trump për dialog, ambasadori Grenell, ne pajtohemi plotësisht që për t’u larguar tarifa, Serbia duhet të ndërpresë fushatën kundër njohjeve të Kosovës”, tha Osmani.

Osmani u shpreh e gatshme të punojë me të gjithë deputetët e opozitës në mënyrë që të përfshihen të gjithë në këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.