Presidentja e Kosovës

Osmani shpreson që shtetet islamike ta njohin Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje gjitha shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Këtë thirrja Osmani e ka bërë gjatë një takimi që ka zhvilluar me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), Hissein Brahim Taha, gjatë qëndrimit në Neë York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

“Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu vlerësimin për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të OIC-ja, veçanërisht për Rezolutën vjetore të inicuar nga OIC-ja, e cila bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate”.

“Në këtë frymë, Presidentja shfaqi shpresën që shtetet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë në një të ardhme të afërt”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidentja Osmani dhe Sekretari i Përgjithshëm Taha bëhet e ditur se kanë përsëritur përkushtimin e tyre për nxitjen e marrëdhënieve më të fuqishme e produktive ndërmjet Kosovës dhe OIC-së.

Sipas Presidentes, Kosova ka potencial të konsiderueshëm të pashfrytëzuar për investime të huaja në sektorë të ndryshëm.

“Në këtë kontekst, Osmani shtroi nevojën e eksplorimit të fushave të mundshme për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të OIC-së, me fokus të veçantë në tregti dhe investime. Në takim, ajo i bëri ftesë Sekretarit të Përgjithshëm Taha që në të ardhmen e afërt të vizitojë Kosovën për t`i shqyrtuar më tej mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë”, thuhet tutje në njoftim.