Presidentja Vjosa Osmani, beson se Kosova ka ende kohë për ta krijuar Qeverinë e re dhe kritikoi Listën Serbe, se po përpiqet të pengojë këtë proces. Duke u bazuar në përvojën e saj politike, ajo tha se konsultimet për koalicione për Qeverinë e re, mund të ekzistojnë prapa dyerve të mbyllura edhe kur mediat e të tjerët nuk e dinë.
“Unë nuk do të ngutesha që të jap supozime se do të dështojë krijimi i Qeverisë- ka edhe pak kohë”- tha Osmani për media pas ngjarjes të organizuar nën Patrionatin e Presidencës në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit më 20.10.2025.
Osmani e cilësoi si të panevojshme vonesën që mund ta shkaktojë ankesa e re e Listës Serbe në Kushtetuese.
“Janë bërë shumë muaj pa Qeveri që do të kishte mandat të plotë kushtetues. Është në interes të Kosovës që sa më parë, tash pasi që Kuvendi është konstituar në përputhje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të kemi Qeveri me mandat të plotë”- shtoi ajo.
E para e shtetit tha se krijimi i Qeverisë varet krejtësisht nga koalicionet e partive politike dhe aty si presidente nuk mund të ndërhyjë.
“Vonesa e krijuar që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat jo vetëm të Kosovës si shtet, por të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbët”- tha ajo.
Ajo tha se nëse vjen deri në situatë të tillë, kur as partia e parë e as ajo- kushdo që mund të ketë mundësinë e dytë- nuk arrijnë t’i bëjnë numrat për Qeverinë, atëherë janë afatet e caktuara me Kushtetutë, por edhe me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese …që e qartësojnë një gjë të tillë.
“Por pastaj afati që jepet është 30-45 ditë. Këtë datë do ta vendosja në përputhje me interesat e Kosovës dhe pas konsultimit me partitë politike”- tha ajo.
Duke u bazuar në përvojën e saj politike, Osmani tha se shumica e diskutimeve me partitë politike ndodhin prapa dyerve të mbyllura. “Shpeshherë, ju e merrni vesh shumë vonë”, tha ajo duke iu referuar mediave.
“Madje edhe ne që ishim në parti e merrnim vesh shumë vonë. Ju kujtohet prej disa koalicioneve të tilla. Pra, unë nuk do të sugjeroja që nuk ka përpjekje, sepse vetëm se ne nuk e dimë, nuk do të thotë se ato nuk janë duke ndodhur”- tha ajo në lidhje me përpjekjet e Vetëvendosjes për të bërë numrat për Qeverinë.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat deri më 22 tetor t’i dërgojnë komentet e tyre në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me ankesën e Listës Serbe.
Kështu ka thënë zëvendës Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi për KALLXO.com.
Lista Serbe ka dorëzuar sërish ankesë në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese tha për KALLXO.com që kërkesa e Listës Serbe aktualisht është duke u proceduar nga Gjykata- pa dhënë detaje më shumë.
Kjo parti kanë kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet drejt formimit të Qeverisë. Afati i fundit për thirrjen e seancës për formimin e Qeverisë është 26 tetori, që i bie 15 ditë nga dita prej kur u dekretua mandatari Albin Kurti.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës e hapur më 15.04.2025 është shpallur e përfunduar nga kryetari i zgjedhur, Dimal Basha, meqë më 10.10.2025 është zgjedhur edhe nënkryetari i pestë i Kuvendit, nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq.
Pos deputetëve të LVV-së, për të votuan edhe deputetët nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ky votim u realizua pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, por u kundërshtua nga Lista Serbe, nëntë deputetët e së cilës nuk i morën votat e duhura për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.
Kushtetuesja kishte konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kushtetuesja kishte urdhëruar të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Presidentja e Republikës së Kosovës, më 11.10.2025 i dha mandatin Albin Kurtit për formimin e Qeverisë së re në vend.
Megjithatë ai më 14.10.2025 tha se koncentrimi gjatë këtyre ditëve ishte tek zgjedhjet lokale. Mirëpo, Kurti ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të nisë një plan konkret për këtë proces.
“Tepër shumë punë këto ditë …, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet ta shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejtë të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por, po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se 10 ditë”- tha Kurti për media më 14.10.2025.







