Osmani planifikonte këtë javë të takonte Mikullovcin: Për pak nuk e bëmë përshëndetjen e fundit, sepse ti e mbylle perden!

Shkuarja në amshim e aktorit të madh Adem Mikullovci, ka lënë një zbrazëti të madhe në jetën kulturore. Këtë e ka thënë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo ka thënë se Mikullovci ishte dhe një qytetar i angazhuar. Madje kryetarja e Kuvendit po planifikonte një takim me atë që i dha shumë vendit.

Postimi i plotë:

Sot me dhimbje të thellë e mësova lajmin për ikjen nga kjo botë të klasikut të teatrit, mjeshtrit të skenës e ish-deputetit Adem Mikullovci.

Skena teatrore humbi njeriun e madh, i cili jetën e tij prej aktori nuk e ndante nga angazhimi qytetar, duke qenë delegat i përbërjes së Deklaratës së 2 Korrikut dhe Kushtetutës së Kaçanikut për ta përmbyllur angazhimin e tij politik në mandatin e kaluar si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Guximin e skenës teatrore e manifestoi në cilësinë e delegatit-deputetit, duke u bërë personifikim i njeriut kauza e të cilit është interesi qytetar.

Aktroi për publikun, siç edhe foli për mbrojtjen e interesit të tij!

Një takim përgjatë kësaj jave, ashtu siç ishim dakorduar, na mbeti peng Adem Mikullovci. Për pak nuk e bëmë përshëndetjen e fundit, sepse ti e mbylle perden!

Sot, vendi mbeti pa aktorin e politikanin e shquar, mbeti pa një zë kritik, i cili iku me dëshirën për një Kosovë më të mirë.

Mjeshtër, një është e sigurt; që ti do të mbetesh shenjë e kohës dhe që ne nuk do të pushojmë së punuari që këtë vend ta bëjmë siç deshte ti!

Sipari i teatrit për TY u mbyll për prezencën fizike, porse jo për veprat që le pas!

Familjes e komunitetit artistik, ngushëllime!

Prehu në paqe Adem Mikullovci!