Osmani për vizitë zyrtare në Vatikan dhe Itali

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të nis sot vizitën e saj zyrtare në Shtetin e Vatikanit dhe në Itali.

Kështu ka bërë të ditur Zyra e Presidentes përmes një njoftimi.

“Presidentja Osmani, së bashku me Zotërinë e Parë, z. Prindon Sadriu dhe Zëvendëskryeministren Donika Gërvalla do të pritet në audiencë nga Papa Françesku. Presidentja do të ketë takim edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin si dhe do të realizohen edhe një sërë takimesh e aktivitete të tjera”, thuhet në njoftim.

Gjatë qëndrimit në Romë, Presidentja Osmani do të pritet edhe nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, me të cilin do të diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit bilateral si dhe rritjen e koordinimit për tejkalimin e sfidave aktuale të sigurisë në rajon dhe përtej.