Presidentja

Osmani për shpërthimin ndaj Borrellit: Ishte reagim parimor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për reagimin që ka pasur ndaj Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell. Osmani më herët kishte thënë se Borrell është i njëanshëm dhe se nuk e ka menaxhuar si duhet dialogun.

“Nuk ishte shpërthim, ishte reagim parimor sepse në çdo proces dialogu ndërmjetësuesi duhet të jetë i paanshëm. Ajo që pamë atë ditë ishte anshmëri e shprehur shumë qartë nga ana e zotit Borrell ku fajësohej Kosova për dështimin e një procesi ku më së paku kishte faj Kosova,” – u shpreh Osmani.

Presidentja e Kosovës shtoi se propozimi për targat i vënë në tavolinë nga ana e Bashkimit Evropian fillimisht ishte refuzuar nga ana e Serbisë. Më pas në tekst, siç tha Osmani ishin larguar pjesët më esenciale të tij.

“Ishte larguar pjesa që kishte të bënte me kornizën e marrëveshjes finale dhe e dyta ishte larguar dhe afati kohor, prandaj dhe ne kur u dakorduam me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të kemi këtë 48-orëshin shtesë insistuam pikërisht në këto dy çështje,” u shpreh Osmani.

Osmani ka folur edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi ku theksoi se Kosova ka qenë gjithnjë pala konstruktive në bisedime.

“Kosova gjithnjë ka qenë pala që ka dhënë kontribut për zgjidhje që kanë kontribuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe në fakt ka bërë jashtëzakonisht shumë koncesione që nga koha e negociatave për statusin e Kosovës e deri te dialogu i Brukselit”, u shpreh Osmani.

Ajo shtoi se Serbia edhe kur ka bërë ndonjë koncesion nuk i ka zbatuar marrëveshjet dhe sot janë në një situatë ku mbi dy të tretat e marrëveshjeve nuk zbatohen nga Serbia.

“Në veçanti do të doja të përmendja faktin se edhe pse në vitin 2013 Serbia ka nënshkruar që të heqë dorë nga mbështetja e të gjitha strukturave ilegale, kriminale në veri të vendit e gjetiu në fakt tani i mbështet më shumë se kurrë edhe politikisht, edhe financiarisht, por për fat të keq edhe duke ju dërguar armë nëpërmjet të cilave këto struktura të shndërruara në banda kriminale po shkatërrojnë synimet tona dhe po i rrezikojnë synimet e përbashkëta që kemi me Bashkimin Evropian”, deklaroi Osmani.