Presidentja

Osmani pas takimit me von der Leyen: Ritheksova nevojën për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka falënderuar atë për angazhimin rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Njëkohësisht, ritheksova nevojën për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, përderisa potencova rëndësinë e dhënies së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, për vendin tonë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Kosova do të vazhdojë të jetë “në ballë të reformave dinamike” që e forcojnë demokracinë, mbështesin sundimin e ligjit e të tjerë.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të jetë në ballë të reformave dinamike që e forcojnë demokracinë, mbështesin sundimin e ligjit, rrisin standardin e jetesës për qytetarët tanë dhe afrojnë vendin tonë me Bashkimin Evropian”, ka shkruar presidentja.