Osmani pas takimit me Macron dhe Scholz: Në këtë kohë përcaktuese për sigurinë në rajon, bashkëpunimi me partnerët tanë është kyç

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me presidentin Emmanuel Macron dhe kancelarin Olaf Scholz.

Në një shkrim në Facebook, Osmani bëri të ditur se në këtë kohë përcaktuese për sigurinë në rajon e Evropë, bashkëpunimi me partnerët tanë është kyç.

“Së bashku me Presidentin Emmanuel Macron dhe Kancelarin Olaf Scholz, si dhe me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, diskutuam zhvillimet e fundit në Kosovë dhe angazhimin e përbashkët për paqe, siguri dhe stabilitet”, shkroi Osmani.

Në kuadër të vizitës së saj në Moldavi, ajo e ka takuar edhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, si dhe për përpjekjet tona të përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet”.

Këtë takime ajo i ka zhvilluar në Kishinau të Moldavisë, ku po merr pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Ndërsa Osmani ka refuzuar të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq, ka thënë se delegacioni i Kosovës nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb në samitin e Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau – ku Kosovën po e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.

I pyetur se kur e pret një takim direkt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai tha se nuk e di.

Ai tha se ulja e tensioneve në veri të Kosovës dhe vendosja e garancive për shmangien e veprimeve unilaterale ishin temat kryesore gjatë takimeve të tij me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.