Osmani: Nuk kemi dëshmi se si janë shpenzuar 815 mijë euro për “Pastrimin e Kosovës”

Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm i Kosovës ka treguar se kanë përfunduar 95 raporte financiare të auditimit të institucioneve të shtetit, nga 116 sa janë gjithsej.

Ai ka thënë se brenda afatit të caktuar do ta kryejnë këtë proces, deri më 31 gusht, ndërsa Kuvendi do të diskutojë raportin në muajin shtator.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka treguar se këtë vit, do të auditojnë edhe Telekomin, në bazë të një rezolute të Kuvendit, e për çka janë angazhuar 13 auditorë.

Duke shpjeguar procesin e punës, Osmani ka thënë se për institucionin e Auditorit të Përgjithshëm viti nis më 1 shtator.

“Kujdesemi që mos të dërgojmë auditorët e njëjtë në institucione të caktuara për një kohë të gjatë, për t’i ikur mundësisë së miqësive”, ka thënë ai.

Osmani ka folur për shkeljet që ndodhin zakonisht në institucione, derisa ka thënë se pjesa e parë e strukturës së raportit të Auditorit është ajo për pasqyrat financiare, e që kanë të bëjnë me gabime në shfrytëzimin e mjeteve të caktuara për projekte të caktuara. Osmani ka thënë se ka raste kur ndodhin pa qëllim, për mungesë të ekspertizës, por ka shtuar se shumë herë kjo ndodhë me qëllim, duke e cilësuar këtë si keqpërdorim dhe shkelje.

“Shkeljet e tjera kanë të bëjnë me shkeljet e rregulloreve të prokurimit. Ka vonesa të shumta, mos aplikimi i penaltive për operatorët ekonomikë që janë kontraktuar, dhe mos monitorimin e implementimit të punëve të cilat janë ndarë”, ka thënë ai.

Osmani është ndalur te fondi prej 815 mijë euro, që Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka ndarë për projektin “Ta pastrojmë Kosovën”, të “Let’s Do It Kosova”.

“E para subjekt i auditimit këtu ka qenë Zyra e Kryeministrit, e jo OJQ-ja ose ndonjë subjekt tjetër. Dhe e dyta kemi pasur kërkesë nga vetë Kryeministri që ka bërë kërkesë të veçantë te unë që të shikohen fondet kontingjente”.

Ai ka treguar se në projekt është përshkruar pastrimi i të gjitha komunave, eliminimi i deponive ilegale të mbeturinave.

“Kur ne kemi bërë auditimin, na është prezantuar një kontratë. Ka pasur shumë dëshmi të varfra në raport me implemetinimi e projektit. Ka pasur fatura, por nuk ka pasur raport të qartë nëse janë kryer të gjitha punët sipas planit”, ka thënë Osmani. “Ne nuk kemi vu emër, se kemi të bëjmë me një keqpërdorim të parasë publike, por kemi thënë se nuk kemi siguri të mjaftueshme se projekti ka shkuar si duhet, prandaj kemi sugjeruar që Qeveria përmes mekanizmave të veta të bëjë një monitorim të këtij projekti, se çka ka ndodhur me deponitë ilegale dhe se si, sa dhe a është zbatuar në përpikëri projekti për të cilin është paguar”, ka shtuar më tej ai.

Osmani ka thënë se Auditorit nuk i janë “ofruar dëshmi që sigurojnë se projekti është implementuar ashtu siç është raportuar”.

“Ne kemi parë shumicën e faturave që janë dorëzuar në zyrën e kryeministrit. Por nuk kemi dëshmi se projekti është implementuar sipas projektit”, ka thënë ai. “Vetë Qeveria ka caktuar një kryesues të Task Forcës, dhe është dashur që të bëhet një raport, që nuk është bërë”.