Osmani nuk i ka dërguar ende njoftim zyrtar Thaçit, për rrëzimin e Qeverisë nga Kuvendi

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, si duket ende nuk ka dalë në punë pas natës së rrëzimit të Qeverisë Kurti nga 2/3 e deputetëve.

Por, kjo mosdalje në zyrë për ta bërë punën e saj po krijon vonesa në ndërmarrjen e hapave konkret nga ana e presidentit Thaçi, pasi që pa dërgimin e njoftimit zyrtar as ai nuk ka ndërmarrë ende asnjë veprim deri më sot, shkruan lajmi.net.

Zyra e Presidentit nuk ka dashur të flasë zyrtarisht rreth kësaj çështjeje, duke thënë se po i respektojnë procedurat.

Ndërsa, presidenti Thaçi, pas vizitës që i bëri karantinës në Qendrën e Studentëve, ritheksoi edhe një herë që duke filluar nga e hëna, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës në tërësi dhe përpikëri, do të fillojë konsultimet me liderët e partive politike.

Thaçi ka thënë se atyre do ua prezantojë edhe kriteret mbizotëruese për të lëvizur nga kjo situatë e re politike.