Presidentja Vjosa Osmani ka uruar edhe një herë të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.
Ajo ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, prej ku ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë bashkë në të mirë të qytetarëve dhe shtetit.
“Shpresojmë që lutjet përgjatë muajit të shenjtë të Ramazanit të jenë lutje të pranuara dhe për t’i falënderuar për rolin që Bashkësia Islame e Kosovës luan në mënyrë që shteti ynë, qytetarët tanë të ecin përpara. Unë dua që t’i falënderoj për bashkëpunimin e gjithmonshëm edhe Kryemyftiun Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij, në mënyrë që sfidat me të cilat ballafaqohet vendi ynë dhe shteti ynë t’i tejkalojmë sa më parë e sa më mirë dhe t’i falënderoj edhe për kontributin që e kanë dhënë gjatë muajit të Ramazanit, duke i dhënë përkrahje dhe ndihma të gjitha familjeve që janë në nevojë. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku në të mirë të qytetarëve tanë, në të mirë të shtetit tonë të dashur dhe edhe një herë urime të gjithëve festa e Bajramit”, është shprehur Osmani.
Bashkësia Islame e Kosovës është vizituar edhe nga krerët e tjerë shtetërorë, përfaqësues të partive politike dhe drejtues të tjerë të institucioneve.







