Osmani në zgjedhje pritet të bëhet bashkë me VV-në, s’dihet forma e bashkëpunimit

E paqartë mbetet ende mënyra se si kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në zgjedhjet e reja, data e të cilave nuk është caktuar ende.

Krahas formimit të një iniciative të re nga ajo, është përmendur edhe mundësia që Osmani t’i bashkohet listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.

KOHA ka provuar të konfirmojë një gjë të tillë, por kontakti me të ka qenë i pamundur gjatë të premtes.

Bashkëpunimin me ish-nënkryetaren e LDK-së për zgjedhjet e reja e kanë konfirmuar nga Vetëvendosje. Derisa për formën e bashkëpunimit zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu, ka thënë se do ta bëjnë të ditur kurdo që të vendoset.

“Tash e sa kohë ka një preferencë dhe disponim të dyanshëm që bashkëpunimin e deritanishëm me zonjën Osmani ta avancojmë edhe më tutje. Bashkëpunimi me të është vlerë e shtuar dhe bashkë me të ne besojmë që do të jemi shumica e ardhshme parlamentare. Ne jemi në kontakt me zonjën Osmani dhe kurdo që do të dakordohet forma e bashkëpunimit besoj që do të bëhet e ditur me kohë bashkë me detajet e tjera. E rëndësishme është që ekzistojnë vullneti dhe disponimi që ai të ndodhë”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës në LVV.

Përveç për bashkëpunimin me Vjosa Osmanin, Vetëvendosje ende nuk ka vendosur për përbërjen e listës e udhëheqjen e saj.

Për një gjë të tillë, sipas Përparim Kryeziut, do të diskutohet në organet e partisë, pasi të publikohet aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese.

Mbledhjen e strukturave të partisë brenda pak ditësh pritet ta bëjë edhe ish-partia e Vjosa Osmanit, Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Pritjet tona janë shumë pozitive, besoj që do t’i ruajmë, ndoshta t’i rrisim votat që i kemi pas. Ato çka i dëgjojmë janë fabrikime, lajme të rrejshme, ato që i kemi pa se disa vite fatkeqësisht ku parti politike ose individ, ose disa të veshur edhe në petkun e analistit shpërndajnë lajme të rrejshme…synojmë më i fitua me ekipin dhe njerëzit ma të mirë të vendit”, tha Arban Abrashi, sekretar i LDK-së.

Në anën tjetër, sipas Allen Metës, moscaktimi i kandidatit për kryeministër nga LDK-ja deri më tani është shkak i mungesës së përgatitjes nga kjo parti.

“Është zënë në befasi nga aktgykimi i Kushtetueses duke besuar që vendimi do të ishte në favor të tyre dhe nuk kanë menduar rreth çështjes së bartësit të listës në zgjedhjet e mundshme”, tha Allen Meta, hulumtues në D4D.

Ndonëse ende nuk ka diçka zyrtare lidhur me garën e Vjosa Osmanit në zgjedhjet e jashtëzakonshme, disa asamblistë të LDK-së nga Ferizaj veçse kanë nisur t’i bashkohen.

Një ditë më parë, përmes një postimi në Facebook, përkrahjen për Osmanin e kanë bërë publike pesë prej tyre.

“Aty ku janë konsistenca, mbajtja e fjalës dhe interesi i Kosovës jemi edhe ne. Me presidenten Vjosa Osmani. Me Kosovën”, thuhet në mbishkrimin e fotografisë së disa anëtarëve të LDK-së, nga vizita që ia kanë bërë Osmanit.