Presidentja e Kosovës

Osmani në takim me Von Cramonin thekson rëndësinë e heqjes së masave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka kujtuar raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, rëndësinë e largimit të masave të Bashkimit Evropian.

Në një takim që kanë pasur të premten, sipas njoftimit nga Presidenca, Osmani i ka quajtur të padrejta masat duke shtuar se ato krijojnë disbalanc në dialogun Kosovë-Serbi.

“Me këtë rast, Presidentja Osmani foli për rëndësinë që BE-ja të lëvizë përpara në raport me Kosovën përmes dhënies së statusit të vendi kandidat. Po ashtu, Presidentja Osmani potencoi edhe njëherë rëndësinë e largimit të masave të BE-së, të cilat janë ende në fuqi, duke ritheksuar padrejtësinë e këtij vendimi si dhe disbalancin të cilin e krijojnë ato në pozicionimin e palëve në dialog. Ndërlidhur me këtë çështje, Presidentja Osmani konfirmoi se Kosova mbetet palë e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjeve”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë, sidomos për sigurinë dhe për punën e institucioneve të Kosovës për sa i përket rrugëtimit të integrimit në BE. Është folur edhe për ndikimin potencial të zgjedhjeve evropiane sivjet në Kosovë.

BONUS VIDEO: Një tjetër hap i rëndësishëm përpara për rrugën Prizren-Tetovë, në Shkup nënshkruhet marrëveshja