Vjosa Osmani

Osmani në shënimin e 20 vjetorit të MCC-së: SHBA ka luajtur rol vendimtar në sukseset e Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani, ka marr pjesë në ceremoninë qendrore të shënimit të 20-vjetorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në kuadër të Samitit SHBA-Afrikë në SHBA.

Në komunikatën e Presidencës thuhet se Osmani me këtë rast ka prezantuar rrugëtimin e deritashëm të Kosovës, duke potencuar sukseset e në të cilat sipas saj SHBA-ja ka luajtur një rol vendimtar. 

“Me pjesëmarrjen e presidentit George W. Bush dhe në prani të liderëve afrikanë, u diskutua për sukseset 20 vjeçare të punës transformuese të MCC-së. Në sesionin special të moderuar nga senatori republikan Mike Johanns, presidentja Osmani ndër të tjera foli për partneritetin e jashtëzakonshëm me SHBA-të, me ç’rast e potencoi në veçanti edhe bashkëpunimin e suksesshëm me MCC-në”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se Osmani ka shprehur falënderim të posaçëm ”për partneritetin e shkëlqyeshëm me MCC-në, si dhe shprehu mirënjohje të thellë për lidershipin e presidentit Bush, trashëgimia e të cilit, sipas saj po reflektohet më së miri sot nëpërmjet punës së MCC-së”. 

“SHBA-të kanë luajtur rol përcaktues në procesin e pavarësimit të Kosovës. Bashkëpunimi ndërmjet MCC-së dhe Kosovës simbolizon progresin, ambicien dhe vizionin e përbashkët për demokraci dhe të ardhme të qëndrueshme”, citohet të ketë thënë Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, ky partneritet është dëshmi e marrëdhënieve strategjike dhe historike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

“Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor në procesin e reformave të shumta, me theks të veçantë në drejtësi dhe sundim të ligjit. Në adresimin e saj, Presidentja Osmani ka folur për hapat e bërë nga Kosova në nxitjen e rritjes ekonomike dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Sipas Presidentes Osmani, ka rezultate të jashtëzakonshme nga partneriteti me MCC-në, i cili ka ndihmuar që zhvillimi jo vetëm i këtij sektori, të shkojë në drejtimin e duhur”, thuhet në komunikatë.

Sipas Osmanit projektet ambicioze reflektojnë një vizion afatgjatë për Kosovën, duke siguruar që partneriteti me MCC-në të çojë në ndryshime pozitive dhe të qëndrueshme. 

“Presidentja Osmani ndër të tjera ka theksuar se me pjesëmarrjen në këtë Samit, si dhe me ndihmën e MCC-së në vazhdimësi, janë krijuar mundësi  për t`i prezantuar të arriturat e Kosovës ndër vite, por edhe për të filluar partneritetin me shtetet afrikane”, thuhet në komunikatë.