Osmani merr pjesë në Samitin e presidentëve të rajonit, këto janë temat që do të diskutohen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të marrë pjesë në takimin e 10-të të procesit Brdo-Brijuni me pjesëmarrjen e Presidentëve të shteteve të rajonit duke përfshirë presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilët janë nikoqirë të takimit.

Temat që do të diskutohen në takimin në Brdo afër Kranjit janë: rëndësia e procesit Brdo-Brijuni në 10- vjetorin e tij, adresimi i pasojave të COVID-19, rimëkëmbja ekonomike dhe plani investiv i BE, zgjerimi i BE-së si prioritet gjeostrategjik, si dhe përmbyllja e projektit të Evropës së bashkuar me përfshirjen e shteteve te Ballkanit Perëndimor.

Në këtë Samit, Presidentja Osmani do t`i paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës lidhur me temat që do të trajtohen në këtë proces.

Në margjina të takimit, Osmani do ta zhvillojë takime bilaterale me presidentët e Kroacisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, Presidentja Osmani më 13 maj ka pritur në takim në Prishtinë, Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor në funksion të parapërgatitjes për takimin e Brdos.