Osmani merr pjesë në Forumin e Dohas në Katar, të pranishmëve u adresohet Zelensky

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu po vazhdon aktivitetet zyrtare në kuadër të edicionit të njëzetë të Forumit të Dohas në Shtetin e Katarit, ku po merr pjesë me ftesë të Emirit të Katarit.

Presidentja ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Forumit krahas liderëve të ndryshëm botëror, ku po diskutohet trajtimi i sfidave bashkëkohore duke kërkuar zgjidhje inovative.

“Në fillim të ceremonisë, Presidentja Osmani u prit nga Emiri i Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani dhe nga Kryeministri i Katarit, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al Thani”, u bë e ditur në komunikatë.

Forumi është hapur nga Emiri i Katarit, si dhe ka vazhduar me adresimin virtual nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

“Forumi i Dohas 2022 po mbahet nën slloganin “Transformimi për një epokë të re” dhe ka mbledhur liderë botëror, politikëbërës, studiues dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar hapat përpara pas zhvillimeve të shkaktuara nga pandemia në të gjitha aspektet e jetës dhe zhvillimeve të fundit gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë”, thuhet tutje në komunikatë.

“Krahas aktiviteteve në Forumin e Dohas, Presidentja Osmani ka takuar bashkatdhetarët tanë që punojnë dhe veprojnë në Katar. Po ashtu, Presidentja ka takuar ambasadorë të shteteve mike të akredituar në Doha, me të cilët ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Evropë. Presidentja ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për të harmonizuar plotësisht përpjekjet tona me aleatët tanë. Në vijim, Presidentja Osmani do të takohet edhe me përfaqësues të shteteve të tjera dhe do të ketë takime bilaterale me udhëheqësit e shtetit të Katarit”, bën të ditur presidenca.