Osmani: Kuvendi do ta mbikëqyrë rreptë procesin e dialogut me Serbinë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar sot se procesi i dialogut me Serbinë duhet të jetë i kujdesshëm dhe se nuk do të pranohet të negociohet tërësia territoriale e Kosovës.

Gjatë takimit me shefen e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, kryeparlamentarja Osmani tha se Kuvendi i Kosovës do të ketë rol të rreptë mbikëqyrës të procesit të dialogut.

“Procesi i dialogut me Serbinë duhet të jetë i kujdesshëm. Ne nuk pranojmë asnjë version dialogu, me të cilin negociohet tërësia territoriale e Kosovës. Kuvendi do të ketë rol të rreptë mbikëqyrës dhe do të insistojmë maksimalisht në rritjen e transparencës për procesin e dialogut. Gjithashtu do të kërkojmë raportim në Kuvend për secilën fazë të negociatave”, ka thënë Osmani.