Osmani: Kur të ketë drejtësi për të zhdukurit atëherë liria ka kuptim!

Vjosa Osmani së bashku me Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën bënë homazhe te Memoriali për të Pagjeturit, me rastin e 27 Prillit – Ditës Kombëtare për Persona të Zhdukur.

Presidentja Osmani tha se sot e gjithë Kosova bashkëndjen me familjarët e të zhdukurve.

Ajo u shpreh se liria do të ketë kuptim në Kosovë kur të ketë drejtësi për të gjithë njerëzit tanë dhe kur plaga e familjarëve të shërohet.

Osmani tutje tha se për Kosovën nuk ka gjë më të rëndësishme se sa zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë.

Sot e gjithë Kosova, secili qytetar bashkëndjen me familjarët e të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë. Fati i gjithë Kosovës është i lidhur drejt për së drejti me fatin e mbi 1600 familjarëve më të dashur tanë. Në Kosovë, liria do të ketë kuptim vetëm atë ditë kur të rikthehen të gjithë njerëzit tanë, vetëm kur të këtë drejtësi për ta, kur plaga e familjarëve do të mund të shërohet.

Sot këtu në prani të gjithë familjarëve e them se kjo asnjëherë nuk do jetë vetëm barrë e tyre, është barrë e jona sepse ata janë njerëzit tanë, prandaj edhe barrën e kemi të përbashkët, plagën e dhimbjen e kemi të përbashkët. Zëri juaj do të dëgjohet çdokund, kërkesa jonë themelore do të jetë zbardhja e fatit e më të dashurve tonë. Duhet ta kujtojmë që për Kosovën nuk ka gjë më të rëndësishme sesa zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë”.