Osmani kundër përfshirjes së Rusisë në bisedime thotë se qëllimi i saj është destabilizimi

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani e quan kthim mbrapa për Kosovën involvimin e Rusisë në dialogun Kosovë – Serbi.

Osmani thotë se më herët në Kombet e Bashkuara është përjashtuar mundësia e Rusisë në përfshirjen në cështjen mes Kosovës e Serbisë. Sipas saj, ndërhyrja e Rusisë në dialog nënkupton kthim mbrapa.

“Në vitin 2010, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB’së ka vendosur se si të procedohet me dialogun Kosovë – Serbi, absolutisht ka përjashtuar një format ku edhe Rusia do të merrte pjesë, sic ka qenë për shembull formati i Trojkës në vitin 2007. Tanimë nëse kthehemi prapë në formate ku Rusia ka zë dhe ka rol, aq sa ka pasur para pavarësisë së Kosovës, ne besoj se kthehemi mbrapa, edhe politikisht, jo vetëm në aspektin teknik”, ka thënë Osmani.

Osmani konsideron se Bashkimi Evropian duhet ta ketë rolin e vet, me involvimin e Shteteve të Bashkuara në dialog, ndërsa për Rusinë thotë se e do vetëm destabilitetin në Ballkan.

“Megjithatë BE’ja e ka rolin e vet. SHBA’ja duhet patjetër të jenë të involvuar në një format me të cilin edhe pajtohen palët sepse historia dëshmon se asnjë proces në Ballkanin Perëndimor por edhe në Evropë, nuk mund të jetë i suksesshëm pa involvimin e SHBA’së”, është shprehur Kryeparlamentarja.

“Rusia deri sot e ka dëshmuar se qëllimin e vetëm e ka destabilizimin e rajonit”