KPK

Osmani: Kisha presion të paligjshëm për dekretim të kryeprokurorit

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ka pasur presion të panevojshëm dhe të paligjshëm nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të marrë vendim lidhur me dekretimin e kryeprokurorit të shtetit, ndonëse sipas saj, ka qenë i njoftuar për arsyen pse deri më 17 tetor nuk është marrë vendimi përfundimtar.

Në një intervistë për “Tempus” të KTV-së, Osmani ka thënë se për këtë vendim ka marrë edhe kërcënime nga persona brenda sistemit prokurorial.

“Ka qenë e paprecedentë të bëhet vazhdimisht një presion i tillë, duke e ditur që e vetmja që Presidenca ka bërë është respektimi i parimeve të sigurisë juridike dhe i sundimit të ligjit, sepse po të ndërhyja unë përderisa rastet kanë qenë duke u shqyrtuar kjo do t’ua mohonte të drejtat themelore edhe kundërkandidatëve dhe do t’i cenonte këto të drejta. Ka qenë presion i panevojshëm dhe i paligjshëm sepse e kanë ditur arsyen pse kanë pritur derisa është marrë edhe vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ajo.

Osmani ka shtuar se arsyeja pse nuk i ka bërë publike detajet e këtyre kërcënimeve është sepse ka zgjedhur t’i mbrojë personat që i kanë sinjalizuar informatat, teksa ka shtuar se kërcënimet janë bërë nga individë brenda sistemit prokurorial.

“Nuk mund të vish në tavolinën e presidentes me qindra shkelje dhe pastaj të mendosh se mund të arrish synimet e tua duke kërcënuar kreun e shtetit. Kërcënimet kanë ardhur nga persona që janë brenda sistemit prokurorial, për momentin relevante është që çdokush ta kuptojë se është e kotë një qasje e tillë”, është shprehur ajo.

Osmani më tej ka thënë se ajo që kërkohet nga Presidenca është që të gjithë ata që janë të përfshirë në sistemin e drejtësisë, duhet të jenë të pavarur nga politika, krimi dhe biznesi, por jo edhe nga ligji dhe Kushtetuta.

“E vetmja që presidentja e Republikës kërkon nga të gjithë që janë në sistemin e drejtësisë është që të respektojnë ligjin, Kushtetutën, ata duhet të jenë të pavarur nga politika, krimi e bizneset, mirëpo jo të pavarur nga ligji dhe Kushtetuta. Kanë përfunduar kohërat kur kërcënimet kanë pasur ndonjë funksion”, ka thënë ajo.