Osmani: Kam shkëputur çdo kontakt me Mustafën, ka qenë zgjedhje e tij

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se qe një kohë të gjatë nuk ka kurrfarë komunikimi me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Sipas saj, ngrirja e raporteve ka qenë zgjedhje e të parit të LDK-së, e jo nga vetë ajo.

“Jo, ka një kohë të gjatë dhe kjo ka qenë zgjedhje e tij”, ka thënë Osmani.

Këto deklarata e para e Kuvendit i ka bërë gjatë vizitës që ka bërë në Komunën e Deçanit bashkë me deputetët Haxhi Avdyli, Albena Reshitaj dhe Mimoza Kusarin.

“Me që jam këtu në cilësinë e kryetares së Kuvendit nuk kisha dashur që të ndalem te këto çështje. Pyetja e gazetarëve dje ishte lidhur me atë se çka nëse shpallen zgjedhjet e parakohshme dhe përgjigja ime ishte që nuk mund të jem më e qartë sesa ta përmendi 20 qershorin. Pra, e vërteta është kjo që LDK-ja më ka përjashtuar. Edhe dje pyetja ka qenë a keni kontakte me Z. Kurti dhe përgjigja ime ka qenë që natyrisht që kemi kontakte”, ka thënë ajo pas takimit me kryetarin e kësaj komune, Bashkim Ramosaj.

Për vizitën e Osmanit ka njoftuar edhe Ramosaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Knaqësi të prisja në takim Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës znj.Vjosa Osmani , e shoqëruar nga deputetet Haxhi Avdyli, Albena Reshitaj dhe Mimoza Kusari Lila . Gjatë këtij takimi diskutuam për projektet të cilat janë duke u realizuar dhe sfidat më të cilat po përballet institucioni jonë komunal”, ka shkruar Ramosaj.

Ndryshe, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, dje ka deklaruar se është shumë vonë për partinë e Isa Mustafës të kërkojë më mbështetje nga ajo në rast të zgjedhjeve të parakohshme.

“Natyrisht që po, përgjigja konkrete e saj është vendimi i tyre i 20 qershorit për t’më përjashtuar. Aty ka përfunduar gjithçka”, ka thënë ajo.

Osmani ka përmendur edhe mundësinë e bashkëpunimin me të parin e VV-së, Albin Kurtin.

Ajo tha se ky bashkëpunim do të konkretizohet më vonë.

“Ne jemi në kontakt dhe bisedojmë për tema të ndryshme të bashkëpunimit, e se si do të konkretizohet ky bashkëpunim në të ardhmen do t’iu njoftojnë në momentin që do të konkretizohet”, tha Osmani.