Osmani: Hoti po imiton Thaçin në transparencën për dialogun

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tha se kryeministri Avdullah Hoti nuk është fare transparent në raportimet për dialogun para Kuvendit të Kosovës.

Në fakt, ajo kritikoi mënyrën e raportimit të tij duke thënë se transparenca nuk matet me numrin e takimeve në Kuvendin e Kosovës, por me cilësinë e informatave që jepen në ato takime, njofton Klan Kosova.

“Ne i dërguam kryeministrit Hoti një ftesë para se të nisej për në Ëashington që shërbeu t’i bëjmë pyetjet e nevojshme edhe për takimet eventuale në Bruksel. Ajo seancë e Kuvendit na sjell deri te një nocion i rëndësishëm në procesin e dialogut – e ajo është transparenca”.

“Në qoftë se e shihni transkriptën e asaj seance të Kuvendit se çfarë pyetje, se çfarë interesimi kanë pasë deputetët nga spektri i gjerë politik, jo vetëm një parti por të gjithë nga pak dhe përgjigjet që i kemi marrë i bie se nuk ka pasë fare transparencë. Pra nuk do duhej që ta vlerësojmë transparencën në dialog duke i numëruar numrin e takimeve në Kuvend ose të njoftimeve të kryeministrit në Kuvend, por duke e marrë parasysh kualitetin e informatave që jepen në ato takime”.

Osmani në Rubikon të Klan Kosovës tha se secili kryeministër duhet ta dijë se Kuvendin e Kosovës nuk e ka armik në procesin e dialogut.

“Kuvendi është institucioni kyç i cili do ta merr vendimin përfundimtar për këtë proces, rrjedhimisht është tejet me rëndësi për secilin nga 120 deputetët dhe për integritetin e këtij institucioni, por mbi të gjitha për sovranitetin që buron nga qytetarët dhe shprehet në këtë kuvend që ne të jemi të informuar më qartë se kjo që e kemi tani”.

Osmani po ashtu tha se kjo Qeveri nuk është duke e trajtuar Kuvendin e Kosovës si një partner në procesin e dialogut dhe kjo është duke shkaktuar çarje në raportet e Kuvendit me Qeverinë.

“Përshtypja është që sa më shumë fshehtësi që mbahen nga Kuvendi më mirë, unë mendoj se është e kundërta, unë e kam vërejtur këtë sidomos në njoftimin e fundit që kryeministri e ka bërë lidhur me dialogun, pra insistimi i tij i vazhdueshëm ka qenë që platforma jonë është Kushtetuta”.
“Ka dy probleme me një deklaratë të tillë. E para, për shkak se ka qenë vetë kryeministri aktual i cili menjëherë pas datës 6 tetor kur ne negocionim për koalicionin me Vetëvendosjen në atë kohë, insistonte më shumë se kushdo që te kapitulli për dialogun të kemi një paragraf ku thuhet që platforma patjetër duhet të miratohet me dy të tretat, sepse kjo punë nuk mund të kryhet pa opozitën, kurse tani kemi një qasje tjetër. Pra kemi një Qeveri që i ka nga aspekti numerik 58-59 vota dhe nuk është e gatshme që Kuvendin ta trajtojë si partner në këtë proces, të diskutojë qoftë edhe nëse kërkon Qeveria në seanca të mbyllura më në detaje, por kur thuhet platforma ime është Kushtetuta dhe nuk je i gatshëm asgjë tjetër t’i ofrosh Kuvendit si informacion që ai të ndihet i sigurt rreth përfaqësimit dhe të ndihet i përgatitur për atë që po na pret, atëherë je duke krijuar çarje në raporte ende pa filluar”.

Osmani tha se Hoti është duke e imituar Thaçin në kontekstin e asaj që mendon se nëse raporton shpesh para Kuvendit mendon se po e bën një “tick” tek kërkesat e transparencës.

“Ne kemi pasur deklarime të tilla në të kaluarën nga Thaçi. Është pak a shumë stil i tij që të shkojë sa më shpesh të raportojë në Kuvend, në ato raportime më shumë fliste për Kodrën e Trimave”.