Nënkryetarja

Osmani: Grenell solli energji të nevojshme për dialogun me Serbinë

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka komentuar takimin e sotëm me përfaqësuesin special të Presidentit të SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Osmani përmes një postimi në Twitter, ka thënë se Grenell solli energji të nevojshme për dialogun.

“E lumtur për ta mirëpritur sërish në Kosovë, Richard Grenell dhe për ta falënderuar atë dhe presidentin Donlad Trupm për mbështetjen e tyre ndaj Kosovës. Ai ka sjellë energji të nevojshme për dialogun me Serbinë, dhe ne po shikojmë të bashkëpunojmë me të edhe në Qeverinë e ardhshme, të cilën po mundohemi ta formojmë sipas vullnetit të qytetarëve”, ka shkruar Osmani.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell pas takimit me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se nuk përzihen në punët e brendshme të Kosovës, por sipas tij SHBA-të janë të interesuara të shohin zhvillim ekonomik.

Kujtojmë se ambasadori Grenell, pas takimeve me liderët kosovarë, ka udhëtuar sot drejt Beogradit.