Osmani: Falënderues ndaj Albright, i dha fund gjenocidit serb në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani thotë se sot i dhanë lamtumirën e fundit mikes së madhe të Kosovës, gardianes së lirisë e demokracisë dhe zërit të fuqishëm të popullit tonë, raporton Indeksonline.

Osmani i është falënderues sekretares Albright për kontributin e jashtëzakonshëm për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë.

Njoftimi i plotë:

Sot, në Washington D.C., i dhamë lamtumirën e fundit mikes së madhe të Kosovës, gardianes së lirisë e demokracisë dhe zërit të fuqishëm të popullit tonë, Madeleine Albright.

Jemi përgjithmonë falënderues për kontributin e jashtëzakonshëm të sekretares Albright për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë, si dhe mbështetjes së saj të vazhdueshme për Kosovën e lirë, të pavarur, të zhvilluar e me vendin e merituar në arenën ndërkombëtare.

Sekretarja Albright e njohu dhimbjen e popullit tonë, e ne do ta vazhdojmë përpjekjen e saj, për ta avancuar dhe për ta mbrojtur demokracinë! Miqësinë me Amerikën e kemi të përjetshme, siç do ta kemi kujtimin për Sekretaren Albright!