Po bëhen disa muaj që prej se në Kosovë temë kryesore e përditshme është rritja enorme e çmimeve të artikujve ushqimorë, e së fundmi edhe shtrenjtimi i rrymës.

Për këto çështje janë mbajtur debate të ashpra paralamentare, e dje është mbajtur edhe protestë. Madje një e tillë është organizuar edhe për të shtunën nga Partia Socialdemokrate e Kosovës.

Çështja e shtrenjtimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 KW tanimë është temë që ka prekur shumicën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës në një kohë ku ata po përballen me shtrenjtim të thuajse çdo produkti e shërbimi jetik.

Por kjo siç duket nuk po i bën fort përshtypje presidentes Osmani. Kjo e fundit nuk është deklaruar, e madje as nuk e ka dhënë asnjë qëndrim për paralajmërimet për shtrenjtim të rrymës.

Presidentja e vendit, e cila erdhi në pozitën e të pares së shtetit si e propozuar nga Vetëvendosje e Albin Kurti, siç duket nuk po e merr mundin të deklarohet për problematikën e rrymës për të cilën gishti është drejtuar nga personi më meritor që e solli atë në karrigen e presidentes.

Njëjtë, presidentja e vendit nuk veproi kur ishte fjala për lajme pozitive për Qeverinë. Ajo reagoi para pak ditësh për ngritjen që shënoi Kosova në luftën kundër korrupsionit.

Madje në një postim në Facebook tha se luftimi i korrupsionit ishte një prej prioriteteve të pushtetit të ri, duke shfaqur edhe njëherë reagimet selektive.

“Para një viti premtuam që luftimi i korrupsionit do të ishte një prej prioriteteve kryesore të institucioneve të reja. Sot, ky premtim po sheh rezultatet e para jashtëzakonisht premtuese”, shkroi Osmani.