Osmani e njofton ambasadorin britanik rreth negociatave LDK-VV për koalicionin

Lidhja Demokratike e Kosovës në një komunikatë për media ka njoftuar se nënkryetarja e këtij subjekti Vjosa Osmani është takuar me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Osmani së bashku me anëtarët e kryesisë, Besian Mustafa dhe Lumir Abdixhiku kanë zhvilluar takimin në selinë e LDK-së me ambasadorin Abbott i cili ka qenë i shoqëruar nga Sam Paice, zyrtar i lartë politik

Vjosa Osmani e ka njoftuar ambasadorin e Britainsë së Madhe lidhur me diskutimin e grupeve punuese të LDK-së dhe VV-së drejt programit të përbashkët qeverisës.

“Dr. Osmani e njoftoi z. Abbott për vazhdimin e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LVV-së për përafrimin e programeve të të dy partive drejt një programi të përbashkët qeverisës, dhe prioritetet e qeverisë së ardhshme, për rendin dhe ligjin, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, arsimin, shëndetësinë dhe zhvillimin ekonomik”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Kandidatja e LDK-së për Kryeministre e ka falenderuar Mbretërinë e Bashkuar për angazhimin dhe përkrahjen për Kosovën.

“Njëkohësisht Dr. Osmani falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për programet përkrahëse në Kosovë dhe kërkoi vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në të ardhmen”, thuhet në komunikatë.

Ambasadori Nicholas Abbott është shprehur se Mbretëria e Bashkuar është e interesuar për përkrahjen e proceseve të Kosovës.

loading…