Presidentja Osmani

Osmani: Akti terrorist në Banjskë, i dirigjuara nga Beogradi

Në një intervistë ekskluzive për RTK-në,  presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, deklarohet për herë të parë publikisht pas aktit terrorist të së dielës në Banjskë të Zveçanit.

Kjo ngjarje pritet të ketë ndikim edhe në procesin e dialogut ku presidentja Osmani ka hedhur si ide që dialogu të vazhdojë me SHBA-në. Ndërkohë derisa tashmë është konfirmuar nga autoritetet shtetërore të Kosovës se nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojqiq ishte udhëheqës i grupit terrorist, Osmani ka thënë se së shpejti priten vendime institucionale ndaj Listës Serbe.

Presidentja e vendit për situatën në veri të vendit, pas aktit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku ra heroikisht rreshter Afrim Bunjaku, tha se  pa asnjë dyshim ishin të dirigjuara dhe organizuara nga Beogradi, të cilat kishin për synim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit.

“Ka një kohë të gjatë që kam folur brenda dhe jashtë Kosovës për rrezikun që paraqesin këto grupe, të cilat që një kohë të gjatë janë trajnuar nga ushtria e Serbisë. Këto janë kryesisht struktura te natyrës paramilitare, të cilat janë të armatosura rëndë me mjete ushtarake,  janë të përgatitur që të luftojnë në stilin ushtarak dhe ka një kohë të gjatë që kanë sjellë edhe armë në mënyrë ilegale në veri të Kosovës e që kulmoi edhe me sulmin e para disa ditësh, të cilin, në përmasat që ishte planifikuar, e parandaloi Policia e Kosovës me profesionalizmin dhe përgatitjen e saj”, teksa shprehu mirënjohjen e thellë për punën e jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës  në mbrojtjen sovranitetit, mbrojtjen e dinjitetit të shtetit tonë,  por mbi të gjitha mbrojtjen çdo qytetari të Kosovës  pa dallim etnie  nga këto grupe kriminale dhe terroriste .

Sipas saj me rendësi është që të gjitha institucionet e sigurisë dhe institucionet publike të punojnë pa reshtur që të parandalohen sulme të tilla në të ardhmen.

“Por është e domosdoshme që të kemi edhe bashkë rendim  të vazhdueshme me aleatët tanë të cilët janë edhe garant të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë”, shtoin presidentja e vendit, në RTK Prime.

Ndërkaq lidhur me vijimësinë e ashpërsimit të situatës, e para e vendit u shpreh se një shtet i cili akoma udhëhiqet nga mbetjet e Millosheviqit, natyrisht që ne duhet të presim që ata t’i ashpërsojnë mjetet e të cilat i përdorin kundër vendit tonë.

“Kjo nënkupton që ne këtë situatë të rëndë që ne po përballemi duhet të kemi unitet maksimal përbrenda vendit tonë, pavarësisht përkatësive politike etj., se duhet të gjithë te jemi me një zë dhe me veprime të përbashkëta në kundërshtimin e veprimeve të tilla të Serbisë, sepse vetme kështu ne i japim përkrahjen e institucioneve të sigurisë, të cilat në fakt po mbajnë barrën më të madhe për mbrojtjen e sovranitetit tonë dhe e meritojnë që ne, si politikë,  të flasim me një zë në mbrojtje të Kosovës.