Oslo me transport tërësisht elektrik – Pritet të bëhet kryeqyteti i parë në botë deri në fundin e vitit 2023

Oslo pritet të bëhet kryeqyteti i parë në botë me një sistem transporti publik tërësisht elektrik, duke synuar ta realizojë këtë në fundin e vitit 2023. Ky është një nga projektet që do ta bëjë kryeqytetin e Norvegjisë të parin në botë tërësisht pa emetime deri në vitin 2030.

Nënkryetarja e bashkisë përgjegjëse për mjedisin dhe transportin, Sirin Stav, tha se projekti për transportin publik përfshin zëvendësimin e autobusëve me naftë, me 450 elektrikë sipas një programi prej 47 milionë dollarë që do të kursejë paratë e taksapaguesve për një periudhë afatgjatë. “Mirëmbajtja është më e lire për ne si bashki, por edhe për operatorët e autobusëve elektrikë. Kjo është një situatë e favorshme”, tha ajo.

Nënkryetarja inkurajon qytetet e tjera të ndjekin shembullin e Oslos. Qyteti me 700,000 banorë ka elektrifikuar tashmë shumicën e trageteve që qarkullojnë në fiordet ku ndodhet. Sipas saj, në tenderin e fundit, çmimi I autobusëve elektrikë ishte 5% më i lirë se ekuivalentët me naftë.

Lëvizja e Oslos vjen në mes të një përpjekjeje globale nga qytetet e mëdha në mbarë botën për të ulur ndotjen e ajrit, ndërsa qeveritë dhe aktivistët përfundojnë përgatitjet për samitin e klimës COP27 të OKB-së të muajit të ardhshëm në Egjipt.

Një aktivist i ajrit të pastër në Norvegji, e mirëpret këtë projekt, por tha se dëshiron të bëhet më shumë për të inkurajuar çiklistët./SCAN