OSBE-ja alarmohet për bllokimin e shtypit serb në Kosovë: Po ua shkelni të drejtën e informimit në gjuhën amtare!
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka ngrehur shqetësime në Vjenë lidhur me mosshpërndarjen e mediave serbe në Kosovë, pas vendosjes së masës tregtare prej 100 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Harlem Désir, përfaqësues i OSBE-së për Lirinë e Medias, pardje ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me ndikimin kufizues në shpërndarjen e mediave serbe në Kosovë, pas vendosjes së masave të fundit tregtare.
Désir ka theksuar domosdoshmërinë e ruajtjes së të gjitha të drejtave qytetare për qasje në informata në gjuhën e tyre.
“Qasja në gazeta, duke përfshirë mediat serbe të shkruara, duhet të garantohet për të gjithë qytetarët dhe komunitetet lokale në çdo kohë”, ka thënë Désir, duke shtuar se “mediat dhe qasja në informata nuk duhet të jetë viktimë kolaterale e situatës aktuale”, raporton Ballkani.info.
Pas vendosjes së tarifave të importit në mallra serbe javën e kaluar, është raportuar se asnjë media serbe nuk ka arritur në qendrat e gazetave në Kosovë.
“Kujtoj se e drejta e papenguar e qytetarëve për informacion dhe shtypi pluralist duhet të sigurohet dhe të mbrohet në të gjitha rrethanat, pa ndonjë pengesë”, ka thënë Désir.
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka arritur në përfundim se duhet t’i kushtohet vëmendje të drejtës së informimit në gjuhën amtare dhe se masat që kufizojnë pluralizmin e medias duhet të hiqen, pasi që mediat përbëjnë një shtyllë jetike të demokracisë. /Ballkani.info/