Organizohet protestë për lirimin e Nezir Mehmetajt nga Serbia

Pasi po bëhen dy vite nga arrestimi i Nezir Mehmetajt nga Serbia, familja e tij ka njoftuar se do të organizojnë protestë, që të arrihet lirimi i Nezirit.

Kështu ka bërë të ditur vëllai i Nezirit, Valon Mehmetaj.

“Të dashur qytetarë për shkakun së fillimi i vitit 2022 janë ditë festive dhe institucionet tona nuk punojn atëhere data e protestes do mbetet 10.01.2022 në ora 13:00, kjo protestë do mbahet në Prishtinë përballë objektit të Qeverisë. Kërkojmë përkrahjen tuaj qe protesta në fjalë të marr jehonë të madhe e të ndikoi në të gjitha instancat vendore e ndërkombëtare që të arrihet lirimi i shtetasit të Republikës së Kosovës dhe vellaut ton Nezir Mehmetaj nga kjo formë e padrejtë e mbajtjes”, ka shkruar Valoni në Facebook.

Nezir Mehmetaj po mbahet i ndaluar në burgun e Serbisë dhe akuzohet për përfshirje në vrasjen e shtatë personave dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në Rudicë, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndër tjerash, Serbia pretendon se Neziraj kishte marrë pjesë në vrasjen e pesë anëtarëve të një familjeje serbe në qershor të vitit 1999.

Ai u arrestua në janar të vitit 2020 nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar midis Serbisë dhe Kosovës në Merdar. Që atëherë, ai po qëndron në paraburgim. Institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë kërkuar lirimin e Nezir Mehmetajt.