Ferizaj

Organizohet marsh nga gratë ferizajase për ndërgjegjësimin rreth kancerit të gjirit

Në kuadër të aktiviteteve që po mbahen gjatë muajit tetor, anëtaret e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, në kryeje me Kryesuesen e Kuvendit të Komunës së Ferizajt Kristina Gashi Bytyqi dhe aktivistet e shoqërisë civile kanë organizuar sot një marsh nëpër qendrën e qytetit të Ferizajt për të promovuar sa më shumë ndërgjegjësimin ndër gra se duhet të bëhen kontrolla mjekësore sa më shpesh për të identifikuar kancerin e gjirit sa me herët.

Kristina Gashi-Bytyqi Kryesuese në Kuvendin Komunal të Ferizajt ka thënë me këtë rast shoqëria duhet t’i përkrah gratë në të gjitha format në mënyrë që jeta e tyre të jetë sa më e shëndetshme. Ajo po ashtu ka falënderuar edhe Kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliun, për përkrahjen që i është dhënë për organizmin e këtij aktiviteti.

“Përmes aktiviteteve të ndryshme jo vetëm te këtij muaji tetor, por çdo ditë të vitit unë ju percejll mesazhin që ato që janë të prekura nga kanceri i gjirit nuk janë të vetmet në këtë beteje, ato e kanë përkrahjen e gjithë shoqërisë dhe institucioneve tona. Sfidat janë ato që e bëjnë interesante dhe tejkalimi i tyre është ajo që e bene jetën me kuptimplotë”, tha Gashi Bytyqi.

Një fjalë rasti para organizmin të marshit në kuadër të fushatës për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit e ka mbajtur edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës Mexhide Mjaku-Topalli. Ajo ka bërë thirrje që t’u ofrohet një trajtim sa më i mirë të gjitha grave të prekura dhe të punohet sa më shumë në parandalimin e sëmundjes.

“Shtrohet pyetja se a është ende e nevojshme që ne të punojmë në sensibilizimin e kësaj sëmundje, unë nuk e përjashtojnë mundësinë që është e nevojshme që të punojmë në këtë drejtim, por duhet te punojmë edhe me shume për të bërë politika me të qëndrueshme dhe më te kapshme. Mendoj se duhet te jetë një mundësi edhe më e madhe që ne institucionet tona ku mungojnë mamografët e ultrazërit te plotësohen, por nëse radiologet të na mungojnë atëherë qeveria duhet ti plotësoj institucionet shëndetësore te plotësohen me këto resurse”, tha Mjaku Topalli.

Pas marshit gratë pjesëmarrëse në këtë aktivitet kanë pasur rastin që të ndjekin edhe një ligjërate nga profesionistet e fushës për të qenë sa më të pajisura me njohuritë rreth sëmundjes së kancerit të gjirit.

Ndërkaq gjatë fushatës disa ditore është bërë e ditur se mamografia ka dy vite që po ofrohet në hapësirat e QKMF-së në Ferizaj dhe ka nevojë që secila grua pas moshës 40 vjeçare ta bëjë atë për të pasur një jetë sa më të shëndetshme.

Aktivitete për të vetëdijesuar gratë rreth kancerit të gjirit janë mbajtur këto ditë edhe nëpër fshatrat e Komunës së Ferizajt nën organizimin e Kryesuese së Kuvendit Kristina Gashi Bytyqit dhe aktivisteve të shoqërisë civile. Për këto aktivitete u tha se është ofruar një mbështetje edhe nga ana e Kryetarit të Komunës së Ferizajt Agim Aliut për të cilin u shprehën falënderime të përzemërta.