Organizatori i marshit në përkrahje të Izraelit jep detaje për nesër

Nesër në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, është paralajmeruar të mbahet një marsh paqësor në përkrahje të Izraelit.

Organizatori i këtij marshi, Arlind Imeri nëpërmjet një postimi në Facebook tha se marshi do të zhvillohet në mënyrë paqësore, dhe se marshi i paraparë për nesër nuk ka karakter religjioz dhe as thirrje për të nxitur dhunë apo për të provokuar komunitete tjera, shkruan Ballkani.info.

Ndër të tjera ai bëri thirrje që të marrin pjesë sa më shumë qytetarë në këtë marsh.

Arlind Imeri tha se marshi do të filloj nga ora 14:00.

Postimi i Plotë:

Komunikatë:

Tashmë kur nga marshi paqësor në përkrahje të popullit Hebre po na ndajnë më pak se 24 orë, marsh ky i cili do të mbahet nesër, e premte, në sheshin Skënderbeu, në ora 14, unë po i drejtohem edhe një herë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të marrin pjesë sa më shumë në këtë marsh paqësor. Marshi i paraparë për nesër nuk ka karakter religjioz dhe as thirrje për të nxitur dhunë apo për të provokuar komunitete tjera. Ky marsh për qëllim ka thirrjen për paqe, solidarizimin me popullin Hebre i cili po përballet me sulme të pa ndërprera nga organizata terroriste Hamas. Marshi i thirrur për nesër nuk është marsh i organizuar kundër popullit Palestinez, por është thirrje për paqe mes dy vendeve por pa organizatën terroriste Hamas. Marshi fillon në ora 14:00 në sheshin Skënderbeu, dhe nga aty do të fillojmë me një ecje deri tek hyrja e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku edhe gjendet pllaka e vendosur në vendin ku dikur ishte Sinagoga e Prishtinës, ku edhe do të vendoset një kurorë në shenjë respekti për miqësinë tonë të vjetër me shtetin e Izraelit. Për tubimin janë informuar organet e rendit dhe është respektuar legjislacioni në fuqi i Republikës së Kosovës. Ne do të shfaqim parulla paqeje për dy popujt, atë Hebre dhe Palestinez, por gjithashtu do ti japim të drejtë Izraelit për tu vetëmbrojtur nga organizata terroriste Hamas. Të nderuar zonja dhe zotërinj, unë si organizator i këtij marshi, së bashku me bashkëpunëtoret e mi, ju bëjmë ftesë që të merrni pjesë në këtë marsh për të kërkuar paqe mes dy popujve. Kosova dhe populli i sajë janë rreshtuar gjithmonë në anën e miqve dhe në anën e atyre që mbrojnë shtetin e tyre. Tradita jonë shqiptare thotë: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, andaj vendi ynë ka qenë edhe shtëpia e miqve tanë Hebrenj. Palestina duhet të çlirohet nga Hamasi dhe jo nga shteti i Izraelit! A.I