Marsh

Organizatorët e “Marshit për Bashkim” presin të mblidhen 10 mijë qytetarë në Prishtinë

Në fillim të kësaj jave, shoqata “Çamëria” në Kosovë ka bërë të ditur se do të organizojë “Marsh për Bashkim”. Ky marsh që ka të bëjë me kërkesën e Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, do të mbahet më 10 nëntor (e shtunë) në Prishtinë.

Në një prononcim për Ballkani.info kryetari i shoqatës “Çamëria” në Kosovë, Nexhmi Muçiqi, ka treguar për detajet e organizimit të “Marshit për Bashkim”. Ai ka konfirmuar pjesëmarrjen e liderëve të Luginës së Preshevës në marsh, por edhe të shumë qytetarëve të asaj pjese.

“Mund të them që organizimi është duke shkuar shumë mirë. Liderët e Luginës së Preshevës, iu kanë përgjigjur pozitivisht këtij organizimi, dhe e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Deri në këto momente që po flasim janë të konfirmuar 100 autobusë, dhe duke i llogaritur marrëveshje-momerandumet me shumë shoqata të shoqërisë civile, pritet që në marsh të jenë mbi 10 mijë qytetarë”, ka thënë Muçiqi.

“Marshi për Bashkim” do të niset në ora 11:00 nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë, për të vazhduar më pas drejt shesheve të kryeqytetit dhe në fund marshuesit do të ndalën në sheshin “Skënderbeu”.

Marshuesit pritet që në orën 12:00 të arrijnë para institucioneve qendrore të vendit, Qeverisë, Presidencës dhe Kuvendit.

Kujtojmë se ky marsh organizohet në përkrahje të idesë së Presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve, e që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovës. /Ballkani.info/