Organizata EC Ma Ndryshe kritikon Kurtin e Osmanin: Shteti i Kosovës të jetë më proaktiv në raport me prezantimin e trashëgiminë kulturore

Organizata “EC Ma Ndryshe” ka kritikuar Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin për neglizhencë ndaj trajtimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore, pasi Europa Nostra ka vendosur që ta fusë Manastirin e Deçanit në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara të Evropës për vitin 2021. Kjo organizatë ka kërkuar shteti i Kosovës të jetë më proaktiv në raport me trashëgiminë kulturore dhe prezantimin ndërkombëtar të saj.

“Në periudhën e formimit të Qeverisë së re, nuk pati asnjë reagim publik për të cilën kemi njohuri por edhe ndonjë komunikim potencial me Europa Nostra-n që Manastiri i Deçanit të mos futet në listën finale të 7 lokaliteteve më të rrezikuara.”, thuhet në reagimin e EC Ma Ndryshe.

Sipas tyre, kjo tregon papërgjegjësi të madhe për një temë të rëndësishme për vendin duke e ditur potencialin e dëmit që do të mund të shkaktonte një shpallje e tillë në procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“EC Ma Ndryshe apelon tek institucionet shtetërore, në veçanti tek Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që të jetë më proaktive dhe të merret me identifikimin dhe parandalimin e problemeve të mundshme të trajtimit të trashëgimisë, në rastin konkret të trashëgimisë së komunitetit serb pasi që pasojat e neglizhimit siç po shihet mund të ofrojnë një imazh të shtrembëruar të realitetit në terren. Kosova, me institucionet e saja të sapoformuara, duhet të jetë në përgjegjësinë më të lartë të detyrës së saj dhe të krijojë politika të qëndrueshme duke kontrolluar situatën në vend, në vend se t’i përgjigjet pasojave pasi ato të kenë ndodhur”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.