ORCA: Universiteti i Mitrovicës është i dyti në Kosovë pas UP-së

ORCA sot ka publikuar raportin për integritetin akademik, publikimin shkencor dhe justifikimin e titujve akademikë në Universitetin e Mitrovicës.

Për nga numri i punimeve shkencore dhe përmbushjes së kritereve nga stafi akademik, Universiteti i Mitrovicës është i dyti në Kosovë pas Universitetit të Prishtinës.

48% e profesorëve në Universitet të Mitrovicës, nuk i justifikojnë titujt akademikë sipas kriterit të punimeve shkencore si autor i parë. Për krahasim, mosjustifikimi i titujve në vitin 2020 në Universitetin e Gjakovës është 65%, ndërkohë që mosjustifikimi i titujve për vitin 2019 në Universitetin e Prishtinës ishte 55%, në Universitetin e Prizrenit ishte 64%, dhe në Universitetin e Pejës ishte 70%.

32% e profesorëve në Universitetin e Mitrovicës nuk kanë asnjë punim të publikuar si autor i parë.

Për krahasim, gjatë vitit 2020 në Universitetin e Gjakovës ishin 54%, ndërkaq për vitin 2019, në Universitetin e Prishtinës ishin 39% e profesorëve që nuk kanë asnjë punim të botuar, në Universitetin e Prizrenit ishin 55% dhe në Universitetin e Pejës ishin 66%.

Një analizë e tillë mund të jetë e dobishme në planifikimin e reformave, përfshirë këtu edhe financimin e projekteve shkencore ashtu që të ketë rritje të publikimit shkencor në këtë universite.