Veprimtari i njohur, Hektor Beqiri, ka bërë të ditur se mërgata shqiptare në Gjermani dhe Zvicër ka nisur një mobilizim të gjerë në prag të 16 shtatorit, kur në Hagë pritet të shpallet vendimi për ish-krerët e UÇK-së.
Beqiri ka njoftuar se aktivitetet kanë nisur në Düsseldorf, kanë vazhduar në Kassel, ndërsa në ditët në vijim do të zhvillohen edhe në qytete të tjera të Gjermanisë.
Sipas tij, edhe në Cyrih të Zvicrës ka nisur “Ora e Pritjes për Çlirimtarët”, si pjesë e mobilizimit të diasporës shqiptare.

“Ora e Mërgatës po rrjedh!”, shkruan Beqiri, duke theksuar se aktivitetet do të vazhdojnë deri më 16 shtator, kur është paralajmëruar tubim i madh në Hagë.
Në postimin e tij, Beqiri thotë se këto aktivitete dëshmojnë se mërgata shqiptare është vënë në lëvizje dhe se, sipas tij, nuk do të ndalet deri në ditën e tubimit.
Ai e cilëson këtë mobilizim si dëshmi se diaspora vazhdon të qëndrojë pranë Kosovës dhe ish-krerëve të UÇK-së, ndaj të cilëve Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë vendimin.

“Nga Gjermania në Zvicër, e kudo ku jeton e vepron shqiptari, po dëshmohet edhe një herë se Mërgata është me Çlirimtarët, është me Kosovën dhe me dinjitetin e saj”, shprehet Beqiri.
Në fund të mesazhit të tij, veprimtari shqiptar ka bërë thirrje për unitet dhe pjesëmarrje në tubimin e 16 shtatorit në Hagë, duke e përmbyllur me mesazhin:
“Deri në Hagë! Deri më 16 shtator! Të bashkuar, të fuqishëm dhe të palëkundur!”







