Kryeministri Albin Kurti do të presë të hënën në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i vetmi nga tre liderët opozitar që e ka pranuar ftesën e shefit të ekzekutivit. Sipas Kurtit, në këtë takim pritet të diskutohet rreth agjendës legjislative, ndërsa sipas Krasniqit për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Ballkani.info ka mësuar se takimi do të mbahet në ora 18:30 në Hotel Garden në Prishtinë.
Shefi i ekzekutivit, përmes këtij takimi të ftuar nga vetë ai, do të synojë të shtyjë para agjendën e legjislativit, derisa i pari i PDK-së caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.
Në një deklaratë për media të dielën, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu u shpreh se e vetmja rrugë përpara janë zgjedhjet e parakohshme.
”Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, tha zëdhënësi i PDK-së.
Ndërsa dy partitë e tjera opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja refuzuan ftesën e Kurtit për takim./Ballkani.info/







