Aleanca për Serbinë dhe partitë opozitare serbe në Kosovë kanë formuar sot ‘Aleancën për Kosovën’.
Përfaqësuesit serbë të opozitës kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 19 majit për katër komunat veriore.
Në këtë takim përveç partive opozitare serbe, siç shkruajnë mediet serbe, kanë marrë pjesë edhe disa organizata.
Nenad Radovanoviq, drejtor i Organizatës së Drejtësisë Popullore, ka thënë se nuk do të merrnin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e komunave në veri të Kosovës.
“Në këtë moment nuk ka kushte për mbajtjen e ndonjë zgjedhjeje në Serbi”, ka thënë ai, duke e cilësuar Kosovën si pjesë të Serbisë, pasi që sipas tij, kjo duhet të zbatohet në bazë të rregullores së Serbisë për zgjedhjet në këtë pjesë të Kosovës.
Radovanoviq ka thënë se zëri i tyre nuk do të dëgjohet në media dhe për këtë kanë përvojë 6 vjeçare.
Ndryshe, Lista Serbe ka vendosur që të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të komunave veriore të vendit pas takimit që zhvilluan sot në Beograd me presidentin, Aleksandar Vuçiq. /Ballkani.info







