Kryetari

Opozita në Prishtinë kërkon që Ahmeti të dorëhiqet nëse merret me dialogun

Detyra që Shpend Ahmeti po dëshiron t’ia japë vetes si kryenegociator nga opozita në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, po shihet si e dëmshme për Prishtinën, komunën që ai udhëheq.

Ahmeti, kryetar i Partisë Socialdemokrate, është deklaruar i gatshëm të marrë përgjegjësinë si përfaqësues i opozitës në bashkudhëheqjen e ekipit negociator, në rast të mungesës së LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, raporton 038 në KTV.

Prioritet i tij për këta muaj mbetet udhëheqja me Prishtinën, që, siç thotë, derisa të arrihet marrëveshja me Serbinë, do t’i mbajë të dyja.

“Po flasim për një proces i cili është më i rëndësishmi për shtetësinë e Kosovës dhe mendoj që është i rëndësishëm imputi i të gjithëve. Nëse zgjat më shumë, atëherë e rimendojmë”, tha Ahmeti në Rubikon të KTV-së.

Ahmeti dikur kritikonte Isa Mustafën sa ishte kryetar i Prishtinës, se po merrej me çështje të nivelit qendror, duke anashkaluar kështu komunën. Ndërsa, opozita thotë se ai tash vetë është duke e bërë një gjë të tillë.

Dëshirën e Shpend Ahmetit për të qenë pjesë e dialogut Kosovë – Serbi, ish-partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e quan ambicie të sëmurë për të bërë karrierë. Derisa, zyrtarë të saj e krahasojnë me presidentin Hashim Thaçi.

“Me largimin nga Vetëvendosje e ka kapur një ambicie e sëmurë e karrierizmit, ku, për një kohë kaq të shkurtër, dëshiron që shumë pozita t’i mbajë. Është bërë kryetar i një partie përderisa ka qenë edhe kryetar i Prishtinës, tash dëshiron që të bëhet pjesë edhe e koalicionit qeverisës në koalicion, jo si opozitë, pasi ai tash e një kohë veç po ju shërben me politika qeverisëse pozitës dhe jo opozitës. Mirëpo, këto ambicie kaq të sëmura i ka pasur vetëm Hashim Thaçi derisa ka ardhur në pushtet, është bërë kryeministër, ka marrë dialogun”, ka thënë Eman Rrahmani, asamblist i LVV-së, Prishtinë.

Rrahmani thotë se kjo situatë i intensifikon përpjekjet e LVV-së për të kërkuar që Ahmeti të japë dorëheqje.

“Kjo veç se e shton edhe angazhimin tonë për të kërkuar që të dorëhiqet ose për të shikuar mundësinë e organizimeve të ndryshme për ta larguar sa më shpejt një qeverisje të tillë kaq të dëmshme për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë ai.

Rrahmani thotë se, nëse Ahmeti vazhdon me këtë ambicie, qytetarët duhet të mobilizohen me peticione dhe protesta ta largojnë atë nga pozita e kryetarit.

Asamblisti i Vetëvendosjes deklaron se organizimi i mundshëm i protestave kundër Ahmetit ende nuk është diskutuar në organet e partisë.

Në anën tjetër, në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) thonë se mbajtja e dy pozitave është shumë e vështirë për Ahmetin.

Kjo parti opozitare vlerëson se ai është ngopur me qeverisjen e kryeqytetit dhe po dëshiron që, përmes dialogut në Bruksel, të gjejë një rrugëdalje.

“Si duket, Shpend Ahmeti është ngopur me Prishtinën, e ka parë që nuk mund të bëjë asgjë më shumë dhe ndoshta kërkon një rrugëdalje, sepse, përndryshe, të jetë kryetar i kryeqytetit dhe të merret me çështje tjera që janë punë që kërkojnë udhëtim, mund, është tepër e vështirë”. “Dorëheqja e Shpend Ahmetit është shpëtim për Prishtinën. LDK-ja është e gatshme të hyjë në garë për kryetar të komunës. Nëse vjen deri te zgjedhjet e reja LDK-ja është e gatshme që ta fitojë Prishtinën”, ka thënë Shefki Gashi, asamblist i LDK-së, Prishtinë.