Opozita kundërshton të përfshihet në grupin punues për procesin e vettingut

Partitë opozitare po kundërshtojnë që një pjesëtar i tyre të përfshihet në grupin punues për hartimin e koncept dokumentit për zhvillimin e procesit të vettingut  në sistemin e drejtësisë.

Kryesuesi i Komisionit, Adnan Rrustemi nga VV-ja, tha se ka propzozuar Driton Selmanajn nga LDK-ja në grupin punues për hartimin e koncept dokumentit për zhvillimin e procesit të vettingut  në sistemin e drejtësisë.

“Unë kam propozuar që ky anëtar të jetë nga opozita, ishte propozim Driton Selmanaj”.

Mirëpo, Driton Selmanaj nuk ka qenë i pajtimit me propozimin e Rrustemit, derisa tha se nuk do të pranoj që të jetë anëtar.

“Mirëpo përkundër qëllimeve fisnike, Komisioni nuk duhet të përfshihet në këtë fazë, komisioni duhet të përfshihet në fazën kur vije  projektligji në Kuvend, por askush nga ky komision nuk më përfaqëson mua në trupa ekzekutive. Bëjë gabim profesional dhe njerëzor nëse them se në këtë fazë po shkoj atje”.

Ndërsa, Hajdar Beqa nga PDK-ja,  tha se nuk është e nevojshme që të përfshihet komisioni.

“Sa i përket qëllimit të Ministrisë është mirë që të kemi gjithëpërfshirje, mirëpo në këtë fazë nuk i bëjmë nder as grupit punues nëse përfshihet komisioni jonë, e përkrahim vettingun por duhet ta shohim formën dhe kontributin tonë ta japim kur vjen në Kuvend”.

Po ashtu në këtë mbledhje  kanë raportuar nga Akademia e Drejtësisë.

Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, tha se gjenerata e gjashtë dhe e shtatë e gjyqtarëve e kanë përfunduar me sukses trajnimin. Ai tha se rreth 210 orë kanë mbajtur trajnim gjyqtarët.

Ai tha se ka pasur regres sa i përket çështjeve ligjore.

“Programi trajnues që është hartuar gjatë vitit 2019 është përmbushë, në kuotën prej 100%, mirëpo gjatë periudhës vjetore ne kemi pasur numër shtesë të trajnimeve që kanë qenë të ofruara nga donatorët. Gjenerata e gjashtë dhe e shtatë e gjyqtarëve gjatë këtij viti e kanë përfunduar trajnimin dhe që rezultati ka qenë shumë i mirë. Vetëm për gjyqtarë orë trajnimi kemi pasur 210 orë trajnimi”.

“Te regresi çështja është në aspektin ligjor”, tha ai.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka pyetur se Akademia e Drejtësisë a ka planifikuar trajnime për punëtorët e Agjencisë për ndihmë juridike dhe trajnime për procesin dhe lëndët që kanë mbetur nga procesi i privatizimit.

“Asnjë prej planifikimeve tuaja nuk kanë dështuar. A keni planifikuar që t’i bëni pjesë të trajnimeve edhe punëtorët e Agjencisë për ndihmë juridike falas”.

Hajdar Beqa, nga PDK-ja  ka pyetur se propozimin e Ligjit të ri a mund të menaxhohen problemet.

“Po ndalna shumë shkurt të regresi qe thatë nga viti 2015, me ligjin që e keni propozuar a është i mjaftueshëm ky ligj me i mbulua problemet që keni hasur”.

Kryesuesi i Komisonit, Adnan Rrustemi, tha se arsye kryesore se pse sistemi gjyqësor është në këtë gjendje ka të bëjë me mos përgatitjen e gjyqtarëve, që siç  thotë ai aktakuzat nuk janë të shkruara mirë.

“Pse gjendja në sistemin e drejtësisë është e tillë nuk është vetëm mungesa e profesionalizmit, nga të gjitha akt gjykimet te rastet e korrupsionit shihet se aktakuzat nuk janë shkruar mirë dhe elementin tretë është dhuna në familje që sistemi jonë i drejtësisë nuk i trajton në mënyrë adekuate”.

Me shumicë votash komisioni ka miratuar raportin vjetor të Akademisë së Drejtësisë.

Po ashtu, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit ka formuar grupi votues për shqyrtimin e propozimeve për anëtarë të Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës.

Ndërsa Driton Selmanaj tha se disa nga anëtarët Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës kanë masa disiplinore.

“Propozimet qe na kanë ardh neve në Komision janë krejt në kundërshtim sepse në listë ka njerëz që kanë masa disiplinore dhe ne e kemi këtu, kemi persona që nuk e plotësojnë kriterin formal”.

Mirëpo për këtë ka reaguar kryesuesi i komisionit, Adnan Rrustemi pasi tha për anëtarët e komisionit të diskutohet mbledhjen e ardhshme./EO/